Vjersha per vjeshten

ERDHI VJESHTA
Erdhi vjeshta.
Dhembin eshtrat
e mia dhe të drurëve.

Vjeshta,
stina e të zemëruarëve,
të tradhëtuarëve,
të mjerëve,
fytyrëverdhëve,
Me shkopin e saj në duar
shkel gjethet e verdha,
florinë që patën ëndërruar
dhe ëndrrat e djegura.

Dhembin eshtrat e vjeshtës
dhe rrokjet e mia të vjershës.


VJESHTA E DRENOVËS
Mioja pikturon vjeshtën.

Llullën e ndezi me një gjethe të verdhë,
me gjethen e përflakur të manës.
Era ia mori gjuhët e flakës,
ia hodhi mbi pëlhurën e bardhë.

Mbi telajon e bardhë dëborë
u ndez vjeshta e Drenovës.

VJESHTA VJERSHË
Një gjethe vjeshte ra mbi fletën time,
gjethe qull prej shiut.
M'i fshiu të gjitha rimat
dhe vargjet m'i fshiu.
Mbi letrën-arë
mbiu mullari,
mullar i verdhë,i heshtur
si vetë trishtimi i vjeshtës.

E hoqa gjethen e tharë.
Mbi letër çeli vjeshta vjershë.

DUKE PRITUR PRILLIN
Vjeshta varrosi farën e grurit
në varrezën e ugarëve.
Në brazdat-qivur e mbylli.
E qan buzë arës lisi
me gjethen e tij të tharë
Duke pritur prill-Krishtin
të ngjallë Shënllazarë.

VJESHTA NUK E ZHVESHI DUSHKUN
Vjeshta nuk e zhveshi dushkun.
Ia la të thara gjethet.
Degët vezme ia mbushi
me fishekët lende.
E la buzë arës,në kufiri
të presë ariun e bardhë,dimrin.