Eseja me titull Bane Zot Anderr nga Fatmir Sulejmani

Trokita kot. Brenda bën bosh. Bukë, kripë e ëndrra kuajsh. Lukthe të vjellë nga gërditë. Shtëpi publike ku vetëm morali shitet falas. NANA dhe grahmat shqip. Trokita kot. Brenda është Mesjeta. Dhe grushti qesharak i Migjenit. DonKishoti dhe Kali. Kalë-kryekalorësi. Bane Zot andërr! Trokita kot. Brenda ka bosh. Nizamë kryqëzatash me hënë. Çaushë të shushatur që mllaçisin mjegullnajës koka viçash. Dhiare me rreth të mbyllur. Qethje delesh të (t’)ulta të Perëndisë. Trokita kot. Brenda gjithë ditën bën bosh. Gjirizi reciklon marritë e çelësat e hapsanes s’i kam unë.Cili kapixhik (s’)e shpie n’hale kalorësin e apokalipsës personale? Njerëz! Mos ma kërkoni borxhin! As gurë varri s’më kanë lënë. Një copë gjuhë më ka mbetur në gojë. Vetëm një fjalë: kryekalorësi është kalë.