Perralla e Shqipes
Nji djalosh kishte dalë për gjah në malet e Shqipnisë. Nji shqipe fluturoi sipër tij, dhe u ndal në maje të nji shkrepi. Shqipja ishte jashtëzakonisht e madhe dhe mbante në çapojt nji gjarpën. Mbas pak shqipja fluturoi prej shkrepit ku kishte çerdhen.
Djaloshi u ngjit atëherë në majë te shkrepit, dhe gjeti në çerdhe zogun e shqipes që po luente me gjarpnin e mbytun. Por gjarpni nuk ishte vërtetë i mbytun. Befas ai lëvizi, ngrejti kryet, nxori thimthin dhe báni me pickue zogun. N'at çast djaloshi nxori harkun, dhe vrau me shigjetë gjarpnin. Mandej ai mori zogun e shqipes dhe u nis kah shpia e vet. Befas ai ndigjoj mbi krye zhurmën e krahëve të shqipes.
“Pse ma grabite foshnjen?", thirri shqipja.
"Foshnja asht imja, sepse unë e shpëtova nga gjarpni që ti nuk e kishe mbytë", përgjegji djaloshi.
"Jepmë foshnjen time, dhe unë të jap si shpërblim mprehtësinë e syvet të mi dhe fuqinë e krehëve të mi. Ti do të jeshë i pamposhtun dhe do të quhesh me emnin tim!"
I riu ia dha shqipes zogun e vet. Kur u rrit zogu, i sillej mbi krye djaloshit, që tash ishte bá burrë. Me harkun e vet ai mbyti shumë bishë të pyllit, dhe me shpatën e vet preu shumë anmiq të vendit.
Ndër të gjitha këto vepra shqipja e printe dhe e drejtonte. I çuditun nga këto punë, populli e zgjodhi mbret gjuetarin trim. Ai u quejt Shqiptar, që do me thánë "bir i shqipes" , dhe mbretnia e tij mori emnin Shqipni, që do me thanë "Vendi i Shqipeve."